Anketa e BB: Korrupsioni, pengesa kryesore për reformat në Shqipëri, problem edhe për biznesin
Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për zbatimin e reformave ekonomike dhe sociale në Shqipëri, ndërsa bizneset përballen njëkohësisht me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Këto janë ndër gjetjet kryesore të anketës së fundit të Bankës Botërore, zhvilluar me 219 përfaqësues të institucioneve, biznesit dhe shoqërisë civile.
Sipas raportit “FY 2026 Albania Country Opinion Survey Report”, 56 për qind e të anketuarve e rendisin korrupsionin ndër faktorët kryesorë që bëjnë që reformat ekonomike dhe sociale të dështojnë ose të ecin ngadalë. Në vend të dytë renditet kapaciteti i pamjaftueshëm i qeverisë, i përmendur nga 35 për qind, ndërsa 34 për qind evidentojnë mungesën e llogaridhënies së qeverisë dhe 33 për qind presionet dhe pengesat politike.
Një tjetër 26 për qind e të anketuarve e lidhin ngadalësinë e reformave me pjesëmarrjen e pamjaftueshme të qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa 25 për qind vlerësojnë se reformat nuk janë konceptuar siç duhet në raport me problemet konkrete të vendit.
Mungesa e punonjësve dhe korrupsioni shqetësojnë biznesin
Korrupsioni shihet edhe si një nga problemet kryesore për zhvillimin e sektorit privat. Kur janë pyetur për sfidat më të mëdha të bizneseve në Shqipëri, 52 për qind e të anketuarve kanë evidentuar mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe po 52 për qind korrupsionin.
Mjedisi rregullator renditet më pas me 47 për qind, ndërsa 39 për qind evidentojnë vështirësitë në aksesin në financim. Madhësia e tregut dhe kërkesa përbëjnë problem për 29 për qind të të pyeturve, paqëndrueshmëria politike për 19 për qind dhe mangësitë në infrastrukturë, përfshirë energjinë dhe transportin, për 18 për qind.
Bujqësia dhe arsimi shihen si prioritetet kryesore
Anketa ka evidentuar edhe fushat ku Banka Botërore duhet të përqendrohet për të pasur ndikimin më të madh në zhvillimin e Shqipërisë. Bujqësia dhe siguria ushqimore renditen të parat, me 49 për qind të përgjigjeve, të ndjekura nga arsimi me 47 për qind. Shëndetësia konsiderohet prioritet nga 36 për qind, vendet e punës nga 34 për qind dhe zhvillimi i infrastrukturës digjitale nga 32 për qind.
Infrastruktura e transportit dhe menaxhimi i mjedisit dhe burimeve natyrore marrin nga 29 për qind të përgjigjeve, ndërsa zhvillimi i sektorit privat përzgjidhet nga 28 për qind e të anketuarve.
Turizmi me potencialin më të madh për vende të reja pune
Turizmi shihet si sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të reja të punës. Të anketuarit evidentojnë megjithatë nevojën për të reduktuar varësinë nga turizmi masiv gjatë verës dhe për të diversifikuar ofertën drejt agroturizmit, turizmit kulturor, historik dhe atij të aventurës, në mënyrë që sektori të gjenerojë punësim gjatë gjithë vitit.
Pas turizmit renditen bujqësia dhe agropërpunimi, veçanërisht aktivitetet me vlerë të shtuar si përpunimi, eksportet organike, magazinimi frigoriferik dhe paketimi. Teknologjia e informacionit dhe shërbimet digjitale konsiderohen gjithashtu sektorë me potencial për punësim të kualifikuar dhe rritje të orientuar drejt eksporteve. Energjia e rinovueshme, infrastruktura e gjelbër, ndërtimi, infrastruktura dhe industria e lehtë përmenden si fusha të tjera me mundësi për krijimin e vendeve të punës, veçanërisht jashtë Tiranës.
Reformat, problem te zbatimi dhe rezultatet konkrete
Një nga kërkesat më të shpeshta ndaj Bankës Botërore është që të përqendrohet më shumë te zbatimi dhe rezultatet e matshme. Sipas përgjigjeve, hendeku kryesor nuk qëndron te hartimi i politikave, por te kthimi i reformave në rezultate konkrete.
Të anketuarit kërkojnë forcimin e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore, më shumë asistencë teknike afatgjatë dhe angazhim më të gjerë me sektorin privat, pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe universitetet. Mbi bazën e këtyre përgjigjeve, raporti sugjeron që financimi të lidhet më shumë me tregues të matshëm, si përmirësimi i shërbimeve, reduktimi i kohës së procedurave dhe krijimi i vendeve të punës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)